Strategjia kombëtare kundër pastrimit të parave, skemat e sofistikuara dhe sektorët më të rrezikuar
Agjencia e Inteligjencës Artificiale ka publikuar Strategjinë Kombëtare 2024–2030 për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, duke evidentuar sektorët më të rrezikuar dhe sfidat kryesore.
Agjencia e Inteligjencës Artificiale ka publikuar Strategjinë Kombëtare për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024–2030, duke ofruar një panoramë të qartë të sektorëve më të ekspozuar ndaj rrezikut, kanaleve më të përdorura dhe sfidave aktuale për të parandaluar aktivitetet e paligjshme financiare në vend.
Strategjia evidenton se aktivitetet kriminale si trafikimi i drogës, krimi i organizuar, krimet tatimore, korrupsioni dhe mashtrimi (përfshirë edhe atë kompjuterik) mbeten burimet kryesore të të ardhurave të paligjshme në Shqipëri. Këto të ardhura më pas futen në sistem përmes skemave të sofistikuara të pastrimit të parave (PP), shpeshherë me elementë ndërkombëtarë dhe përfshirje të bizneseve ekzistuese.
Faktorët kontekstualë si ekonomia informale dhe emigrimi i lartë i shqiptarëve luajnë një rol të rëndësishëm në përhapjen e këtyre fenomeneve dhe në lidhjet me krimin ndërkombëtar.
Sektorët më të rrezikuar
Sektori i pasurive të paluajtshme, tregtia, call center-at, konsulenca ekonomiko-ligjore janë sektorët ekonomikë më të ndjeshëm ndaj aktiviteteve të pastrimit të parave, thuhet në strategji. Këta sektorë përdoren në faza të ndryshme të skemave, duke e vështirësuar identifikimin e burimit dhe qëllimit të fondeve kriminale.
Sistemi bankar, kanali më i përdorur
Sistemi bankar identifikohet si kanali më i përdorur për pastrimin e parave, ndonëse strategjia vlerëson se ky sektor ka një ndërgjegjësim të lartë dhe mjete efektive për të raportuar rastet e dyshimta (RAD). Rreth 90–95% e informacionit të dërguar nga AIF tek organet ligjzbatuese vjen pikërisht nga ky sektor.
Profesioni i noterit është perceptuar dhe ka rezultuar edhe nga të dhënat si më i rrezikuar krahasuar me subjektet/profesionet e tjera për shkak se noteri në Shqipëri kryen një gamë të gjerëtë veprimeve juridike (huadhënie, kontrata kredie, çelje trashëgimie etj.), për pjesën më të madhe e të cilave është mundësia e vetme për veprimet, përfshirë këtu edhe transaksionet e pasurive të paluajtshme, thuhet në dokument.
Transfertat ndërkombëtare dhe përdorimi i cash-it
Strategjia thekson se transfertat hyrëse/dalëse me jashtë, transferimi i fondeve brenda vendit dhe tërheqjet apo depozitimet bankare, janë mjetet më të përdorura në skemat e PP. Vëllimi i madh i transaksioneve dhe përdorimi i juridiksioneve të shumta e bëjnë të vështirë gjurmimin e burimeve të fondeve. Gjithashtu, përdorimi i parasë cash mbetet gjithashtu një shqetësim, për shkak të anonimitetit dhe vështirësisë së gjurmimit të origjinës së të ardhurave. /ekofin.al